Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kritikuar në Kuvend Reformën Territoriale, duke kërkuar që ndryshimi i hartës të shoqërohet me transferimin e pushtetit real, kompetencave dhe financave tek njësitë e qeverisjes vendore.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Braçe ngriti pikëpyetje nëse qeveria është realisht e gatshme të delegojë pushtet tek pushteti vendor.
“A është gati qeveria të delegojë pushtet real tek pushteti vendor? A është gati qeveria të delegojë kompetenca, funksione, buxhete, tatime, taksa, të ardhura, prona, që i bëjnë ato dhe që i shkojnë në fakt atij komuniteti atje, atij pushteti që është afër qytetarit?”, deklaroi Braçe.
Ai theksoi se nëse këto ndryshime nuk shoqërojnë reformën, sipas tij, ndryshimi i hartës nuk mjafton.
“Në qoftë se s’bëjmë këtë, keq më vjen, por nuk kemi bërë gjë. Dhe mund të mblidhemi të gjithë këtu e t’i japim këtij emrin e saj, hartës, si të doni”, tha deputeti socialist.
Fjalimi i Braçes u ndërpre disa herë nga drejtuesja e seancës, Evis Kushi, e cila i kërkoi të lironte foltoren pasi koha e tij kishte përfunduar.
Por Braçe vijoi të fliste edhe pasi mikrofoni iu mbyll, duke argumentuar se “problemi ynë janë njerëzit” dhe jo thjesht ndryshimi i hartës administrative.
“Problemi ynë nuk janë letrat, janë njerëzit!”, u shpreh ai.
Braçe kundërshtoi edhe argumentin se reforma territoriale lidhet drejtpërdrejt me përfitimin e fondeve të kohezionit dhe zhvillimit rajonal të Bashkimit Evropian.
“Si mendoni ju që një hartë na bën pjesë automatike të fondeve të kohezionit social të Bashkimit Evropian? Po jo!”, deklaroi ai, duke shtuar se ekzistojnë edhe kushte dhe infrastrukturë që duhet të ndërtohet.
Në fund, deputeti socialist tha se qeveria kishte mundësinë të sillte në Kuvend jo vetëm hartën e re, por edhe kompetencat që do t’i japin pushtet real qytetarit dhe pushtetit vendor.
“Vetëm kaq nuk mjafton! Do të kisha dashur që një shtet i tërë, një qeveri e tërë, të kishte sjellë këtu hartën dhe të gjitha kompetencat që i çojnë pushtetit real te qytetari”, përfundoi Braçe.
Lexo edhe
Përplasja në Kuvend/ Klosi: S’do merrni asnjë bashki në zgjedhje. Berisha: Ta ka blerë bixhozi votën














