Një tjetër përplasje është shënuar në seancën e sotme parlamentare, këtë herë mes deputetit socialist Blendi Klosi dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, në debatin për Reformën Territoriale.
Klosi deklaroi se mazhoranca është e vendosur ta miratojë reformën dhe i kërkoi opozitës të vijojë debatin përmes procedurave parlamentare.“Nuk keni asnjë shpresë, reforma do të votohet”, deklaroi Klosi, duke shtuar se bashkimi i bashkive, sipas tij, do t’i bëjë ato më të forta dhe do të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve.
Klosi deklaroi gjithashtu se PS synon të fitojë në zgjedhjet e ardhshme bashkitë që do të krijohen nga reforma.
Berisha iu përgjigj duke sulmuar personalisht Klosin, duke deklaruar:“Një njeri që ia ka blerë bixhozi votën, nuk meriton asnjë përgjigje. Është skllav i vesit të tij.”
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të mos i marrin në konsideratë deklaratat e Klosit.
Përplasja vjen në një seancë ku Reforma Territoriale është në qendër të debatit parlamentar, ndërsa opozita kërkon që për ndryshimin e hartës administrative të pyeten qytetarët përmes referendumit.
Lexo edhe
Berisha sfidon mazhorancën: Reforma Territoriale të shkojë në referendum, të vendosin qytetarët














