Ministria e Arsimit ka publikuar strukturën zyrtare të vitit shkollor 2026–2027 për sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri. Sipas urdhrit të përbashkët të ministrisë, mësimi në arsimin bazë dhe në arsimin e mesëm të lartë do të nisë më 14 shtator 2026 dhe do të përfundojë më 18 qershor 2027.
Për nxënësit maturantë, procesi mësimor do të mbyllet më herët, më 4 qershor 2027, për t’i hapur rrugë zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore, të cilat do të mbahen nga 7 deri më 28 qershor 2027.
Sipas kalendarit të publikuar, pushimet dimërore për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të zhvillohen nga 24 dhjetori 2026 deri më 4 janar 2027.
Ndërsa për nxënësit e arsimit bazë janë parashikuar edhe pushimet pranverore, të cilat do të zgjasin nga 29 marsi deri më 2 prill 2027.
Po ashtu, provimet kombëtare të arsimit bazë do të zhvillohen në periudhën 21-30 qershor 2027, sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare.
Edhe arsimi profesional do të nisë mësimin më 14 shtator 2026 për pjesën më të madhe të programeve, ndërsa disa programe të arsimit pas të mesëm mund ta fillojnë procesin deri në javën e tretë të tetorit.
Provimet përfundimtare për kualifikimet profesionale do të zhvillohen gjatë muajve maj dhe qershor, ndërsa Matura Profesionale do të zhvillohet në të njëjtën periudhë me Maturën Shtetërore, nga 7 deri më 28 qershor 2027.
Kalendari i ri përcakton organizimin e vitit të ardhshëm shkollor për mijëra nxënës dhe institucione arsimore në të gjithë vendin, duke orientuar shkollat për afatet e mësimit, pushimeve dhe zhvillimit të provimeve.
Alarm për drogë dhe armë në shkolla, Skënder Hita shpërndan telegram urgjent















