Një 28-vjeçar nga Norvegjia është arrestuar nga policia në Patos, pasi dyshohet se merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike, konkretisht kokainë.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi Sebastian Temples, i cili banonte përkohësisht në një ambient me qira në fshatin Sheqishte. Operacioni u zhvillua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij dhe në automjetin që drejtonte, po ashtu i marrë me qira, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të dyshuar kokaine, e cila dyshohet se do të shpërndahej për qëllime përfitimi financiar.
28-vjeçari u kap në flagrancë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Policia bën me dije se vijojnë hetimet për të zbuluar nëse persona të tjerë janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.















