Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në disa rajone të Kosovës, ku të paktën 34 persona janë arrestuar për përfshirje në organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme.
Aksioni është shtrirë në Mitrovicë, Vushtrri, Istog dhe Skënderaj, ku policia ka ushtruar kontrolle në rreth 50 lokacione, përfshirë lokale afariste dhe banesa private.
Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para cash, 5 automjete, armë zjarri, si dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme.
Sipas Policisë së Kosovës, 29 nga të arrestuarit janë dërguar në paraburgim me vendim të prokurorit, ndërsa pjesa tjetër është lënë në procedurë të rregullt.
Operacioni u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, si pjesë e një aksioni të koordinuar për goditjen e krimit ekonomik dhe aktiviteteve të kundërligjshme.
Autoritetet theksojnë se këto ndërhyrje përfaqësojnë një angazhim të fortë për forcimin e rendit dhe sigurisë publike, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë duke raportuar çdo rast të dyshimtë.














