Ernest Muçi ka zhvilluar një tjetër paraqitje të nivelit të lartë me fanellën e Trabzonsporit, duke qenë protagonisti absolut në fitoren e pastër 3–0 ndaj Fethiyesporit, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Turqisë.
Takimi i luajtur të martën mbrëma, i vlefshëm për raundin e tretë të Grupit A, u dominua nga Trabzonspori, me sulmuesin e Kombëtares shqiptare që la gjurmë të qarta në pjesën e dytë të ndeshjes, duke kontribuar me një gol dhe një asist.
Muçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 69-të, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij, ndërsa vetëm dhjetë minuta më vonë u shfaq sërish vendimtar, këtë herë si asistues në golin e tretë të takimit, të shënuar në minutën e 79-të.
Me këtë fitore, Trabzonspori ka grumbulluar gjashtë pikë pas tri ndeshjesh në Grupin A, ku bën pjesë edhe Galatasaray, një nga pretendentët kryesorë për trofeun e Kupës së Turqisë.
Forma e Ernest Muçit mbetet shumë pozitive edhe në kampionat. Pas 17 javësh ai ka realizuar tetë gola dhe një asist, ndërsa në total këtë sezon ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë katër asistime, duke u konfirmuar si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Trabzonsporit.














