Një konflikt mes disa të rinjve ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri, ndërsa Policia ka arrestuar 4 persona, ka proceduar 4 të tjerë në gjendje të lirë dhe ka shpallur në kërkim 2 persona.
Operacioni policor është koduar “Situata”, ndërsa në total janë identifikuar 10 persona të përfshirë në konflikt.
Në pranga kanë rënë Rezar Zaimi, 28 vjeç, Kevin Kocibellinj, 31 vjeç, Stiven Fezollari, 24 vjeç dhe Rolf Fezollari, 34 vjeç.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Frenki Fezollari, 32 vjeç, dhe Cercis Brahimllari, 32 vjeç.
Sipas Policisë, ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti verbal. Rolf Fezollari dyshohet se ka fyer një 17-vjeçar, i cili më pas, së bashku me disa miq të tij, është përfshirë në një konflikt fizik me të dhe me vëllain e tij, Stiven Fezollari.
Pas përplasjes, 17-vjeçari dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së vëllezërve Fezollari.
Sipas hetimeve, nga banesa dyshohet se Frenki Fezollari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të dëmtuar.
Frenki Fezollari është shpallur në kërkim dhe akuzohet për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
Ndërkohë, personat e tjerë janë arrestuar ose proceduar për vepra të ndryshme penale, që lidhen me përkrahjen e autorit, moskallëzimin e krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.
Hetimet vijojnë.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë
Finalizohet operacioni i koduar “Situata”. Zbardhen përfshirja dhe rrethanat e konfliktit ndërmjet disa shtetasve, rreth mesnatës së datës 11 gusht, në rrugën “Gjolekë Kokona”, ku dhe u qëllua me armë zjarri.
Identifikohen 10 shtetasit e përfshirë. Vihen në pranga 4 prej tyre, procedohen penalisht 4 dhe shpallen në kërkim 2.
Sekuestrohen nga vendngjarja, 1 mjet prerës (thikë) dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Menjëherë pas njoftimit se disa shtetas ishin përfshirë në një konflikt në rrugën “Gjolekë Kokona”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 shkuan në vendngjarje për të përcaktuar shtetasit e përfshirë në konflikt, përgjegjësitë e tyre, si dhe rrethanat e rastit.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Situata”:
-u arrestuan shtetasit R. Z., 28 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; K. K., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe S. F., 24 vjeç dhe R. F., 34 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
-u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, 4 shtetas gjithashtu të përfshirë në konflikt;
-u shpallën në kërkim shtetasit F. F., 32 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe C. B., 32 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi i arrestuar R. F. ka fyer një të mitur të proceduar në gjendje të lirë. Si pasojë, 17-vjeçari dhe miq të tij janë konfliktuar fizikisht, me shtetasin R. F., vëllanë e tij, shtetasin S. F., dhe me miq të këtyre të fundit. Më pas, i mituri dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete, te banesa e vëllezërve, nga ku dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjeteve, vëllai tjetër i tyre, shtetasi i shpallur në kërkim, F. F., pa dëmtuar askënd.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe:
Ardian Çapja nuk merr leje për varrimin e nënës, Policia nuk garantoi sigurinë
Durrës/ Policia Rrugore intensifikon kontrollet me dronë dhe radarë, 10 drejtues në pranga














