Policia Rrugore e Durrësit ka intensifikuar monitorimin në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror.
Gjatë periudhës 4–10 gusht 2026, kontrollet kanë çuar në arrestimin e 10 drejtuesve të mjeteve, ndërsa 5 të tjerë janë proceduar penalisht për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Në të njëjtën periudhë, Policia Rrugore ka vendosur 1360 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Sipas të dhënave të policisë:
- 777 masa për tejkalim të shpejtësisë së lejuar;
- 460 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;
- 40 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit;
- 36 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
- 30 masa për parakalime të gabuara;
- 17 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur mjetet bashkëkohore të monitorimit, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht për shkak të fluksit të lartë të automjeteve gjatë sezonit turistik.
Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112.
Lexo edhe:
Rrugorja në Tiranë/ 19 procedime dhe 530 gjoba ndaj drejtuesve të motomjeteve














