Edi Rama ka reaguar me një mesazh në rrjetet sociale lidhur me ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimi Europian, duke sulmuar kritikët e qeverisë dhe duke e cilësuar procesin si një tjetër sukses për vendin.

Në postimin e publikuar në Facebook, Rama shkruan se opozita dhe kundërshtarët politikë “thanë negociatat u bllokuan”, “thanë Shqipëria u ndëshkua” dhe “thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua”, por sipas tij, zhvillimet e fundit treguan të kundërtën.

Reklame

Kryeministri akuzon kundërshtarët se “u lëshuan rrugëve me molotovë” dhe “u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi” për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë, ndërsa shton se “humbën përsëri dhe Shqipëria përsëri fitoi”.

Sipas Ramës, më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të vulosë me sukses fazën hyrëse dhe do të çelë fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.

“Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton”, shkruan Rama.

Ai e cilësoi këtë si “një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë”, duke falënderuar institucionet, ekipin negociator dhe qytetarët që mbështesin procesin e integrimit europian.

Në fund të mesazhit të tij, kreu i qeverisë mbyll me thirrjen: “Forca Shqipëria”.

Reklame