Advertisement

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë nesër në orën 08:30, në selinë e Partisë Socialiste, drejtuesit politikë të qarqeve në një takim që zhvillohet në një moment të ndjeshëm politik për mazhorancën.

Mbledhja vjen vetëm pak ditë pas takimit të zgjeruar me grupin parlamentar dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, ndërsa në Tiranë protestat qytetare kundër qeverisë vijojnë prej më shumë se tre javësh.

Reklame

Takimi i paralajmëruar zhvillohet në një kohë kur protesta ka hyrë në ditën e saj të 24-t, ndërsa presioni publik ndaj qeverisë dhe kërkesat e qytetarëve për ndryshim politik vijojnë të mbeten të larta.

Sipas burimeve nga mbledhja e fundit e grupit parlamentar socialist, kryeministri ka kërkuar një angazhim më të madh nga deputetët dhe drejtuesit politikë në komunikimin me qytetarët, veçanërisht në rrjetet sociale. Kjo vjen në një moment kur përmbajtjet që lidhen me protestat dhe pakënaqësinë qytetare po marrin një shtrirje të gjerë në platformat online.

Burime politike bëjnë me dije se në fokus të takimit pritet të jenë analiza e situatës politike në qarqe, menaxhimi i komunikimit publik si dhe koordinimi i strukturave të Partisë Socialiste përballë zhvillimeve të fundit.

Mbledhja e nesërme konsiderohet si një test i rëndësishëm për mënyrën se si mazhoranca do të përballet me klimën e tensionuar politike dhe me protestat që vijojnë të mbajnë të lartë presionin ndaj qeverisë.

 

Reklame