Një rast alarmant që ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë ushqimore në vend është zbuluar në Portin e Durrësit. Mbi 7 mijë kilogramë miell i skaduar, i destinuar për prodhim ushqimor, është bllokuar nga autoritetet.
Operacioni u realizua nga Dogana e Durrësit në bashkëpunim me Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pas verifikimeve mbi një ngarkesë me produkte ushqimore të importuara.
Sipas të dhënave zyrtare:
2.500 kg miell orizi
5.150 kg miell për pica
Të dyja produktet rezultonin të skaduara që prej prillit të vitit të kaluar.
Sasia e konsiderueshme e miellit kishte si destinacion kompaninë AMORE PINSA PRODUCTIONS SHPK, me adresë në Durrës.
Kompania, në pronësi të shtetasve Agron Dema dhe Vincenzo Salvo, merret me:
Prodhimin dhe shpërndarjen e picës së ngrirë (pakicë dhe shumicë)
Prodhimin dhe shitjen e bukës
Prodhimin dhe tregtimin e brumit të freskët të paketuar
Fakti që një sasi kaq e madhe mielli e skaduar ishte planifikuar të përdorej për produkte të konsumit të gjerë ngre shqetësime serioze për kontrollin e zinxhirit ushqimor.
Ekspertët e sigurisë ushqimore theksojnë se përdorimi i lëndëve të para të skaduara, veçanërisht në produkte si buka dhe pica që konsumohen masivisht, përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.
E gjithë sasia e bllokuar do të asgjësohet nga Dogana e Durrësit në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
Ndërkohë, pritet të zbardhet nëse do të ketë masa administrative apo penale ndaj subjektit përkatës, si dhe nëse produkte të tjera të ngjashme kanë hyrë më parë në treg.














