Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka dhënë një mesazh të qartë politik pas takimit me Izet Mexhitin, duke theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në një reagim publik, Hoxha u shpreh se shqiptarët nuk mund të ndahen dhe nuk duhet të përçahen, pasi ajo që i bashkon është më e madhe se çdo dallim politik apo ideologjik.

Reklame

“Askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan, sepse ajo që kemi të përbashkët vetëm na bashkon”, deklaroi ministri pas takimit me kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njëherazi lider i Lëvizjes Demokratike dhe bashkëdrejtues i koalicionit VLEN.

Hoxha theksoi se pozita dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë të garantuara nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, por shtoi se ato duhet të mbrohen dhe të ushtrohen plotësisht.

Ai nënvizoi se ruajtja e gjuhës shqipe, përfaqësimi i drejtë dhe avancimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore janë arritje që nuk duhet të vihen në rrezik.

Sipas ministrit, Mexhiti ka garantuar se ai, partia e tij dhe koalicioni VLEN do të mbeten të përkushtuar për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej pozitën e shqiptarëve në RMV, duke siguruar barazi dhe përfaqësim të drejtë në të gjitha nivelet.

Në fund, Hoxha apeloi për më shumë dialog dhe bashkim mes faktorëve politikë shqiptarë.

“Na duhen më pak fjalë e më shumë punë”, ishte mesazhi i tij, ndërsa theksoi rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve më të forta me Maqedoninë e Veriut si vend fqinj, aleat dhe partner strategjik në rrugën europiane.

Reklame