Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë në Pogradec, kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa nga prioritetet për sezonin e ri politik, duke vendosur në qendër atë që e cilësoi si ndërtimin e një “Shqipërie Sociale”.

Në një komunikim përmes rrjeteve sociale, Rama tha se fokusi do të jetë te shëndetësia, arsimi, strehimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve.

Reklame

Një nga çështjet e ngritura gjatë mbledhjes ishte edhe rritja dhe transparenca e çmimeve të ushqimeve bazë. Rama deklaroi se qeveria nuk mund të përcaktojë çmimet në një ekonomi tregu, por po përgatit një plan që qytetarët të kenë më shumë informacion.“Kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë, që do ta prezantojmë kur të jetë i konsoliduar”, tha Rama.

Kryeministri pranoi gjithashtu se zhvillimet e fundit politike kanë ndikuar në marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit.

Rama për protestën: “Na ka sfiduar realisht”

Rama u ndal edhe te protesta qytetare e zhvilluar gjatë verës përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar si një “sfidë të vërtetë”, për sa kohë, sipas tij, ishte një protestë qytetare.

Ai tha se në protestë u shfaqën qytetarë që kërkonin më shumë nga qeveria, ndërsa deklaroi se mbetet optimist për të ardhmen e vendit.“Ajo protestë që ndodhi na ka sfiduar realisht, për aq kohë sa ishte qytetare. Aty u shfaqën njerëz që i çoi nevoja për të bashkuar zërin dhe për të thënë se ne meritojmë më shumë”, u shpreh kryeministri.

Strehimi, një nga prioritetet kryesore

Rama njoftoi se programi i strehimit do të jetë një nga programet me fokusin më të madh të qeverisë gjatë periudhës së ardhshme.

Sipas tij, bëhet fjalë për një qasje të re që do të shoqërohet edhe me programe të tjera në sektorë të ndryshëm.

Në fjalën e tij, Rama foli edhe për konceptet e reja të prezantuara nga qeveria, “Besa” dhe “Prania Besnike”, të cilat synojnë, sipas tij, një ndryshim në raportin mes shtetit dhe qytetarit.

“Pasqyrë Albania”, qytetari do të ndjekë kërkesat në kohë reale

Një tjetër projekt i përmendur ishte “Pasqyrë Albania”, platforma që Rama tha se do t’u mundësojë qytetarëve të marrin informacion dhe të ndjekin në kohë reale kërkesat e tyre ndaj institucioneve.

Sipas kryeministrit, platforma nuk do të jetë thjesht një kanal për dërgimin e ankesave, por një sistem për të ndjekur edhe përgjegjësitë e institucioneve.

Rama tha se synimi është që qytetari të mos mbetet “i paarmatosur me argumenta” përballë administratës dhe institucioneve.

Mbledhja në Pogradec shënon nisjen e përgatitjeve të qeverisë për vitin e dytë të mandatit të katërt, me Ramën që premtoi një qasje të re ndaj shërbimeve, strehimit, çmimeve dhe raportit shtet-qytetar.

Reklame