Kartelët e drogës po përdorin një strategji të re për të transportuar sasi rekord kokaine drejt Europës: flota me dhjetëra skafe të fuqishme që lëvizin njëkohësisht në det, me synimin për të mbingarkuar rojet bregdetare dhe për t’iu shpëtuar kontrolleve të autoriteteve.

Bëhet fjalë për mjete lundruese të njohura si “narcolanchas”, të cilat mund të pajisen me deri në katër motorë, me një fuqi totale prej 1,200 kuaj fuqi. Ato arrijnë shpejtësi deri në 80 nyje, ose rreth 148 km/orë, duke lënë pas shumicën e mjeteve lundruese të policisë.

Reklame

Këto mjete drejtohen nga anëtarë të grupeve kriminale, të cilët përshkruhen si veçanërisht agresivë dhe që në disa raste mbajnë edhe armë automatike të tipit AK-47.

Sipas ekspertëve, kjo mënyrë transporti po u mundëson organizatave kriminale të dërgojnë sasi gjithnjë e më të mëdha kokaine në tregun europian.

Si funksionon rruga e trafikut

Për vite me radhë, kokaina transportohej kryesisht nga Amerika e Jugut drejt Europës e fshehur në kontejnerët e anijeve tregtare, me destinacion portet e mëdha të Europës Veriore.

Por forcimi i kontrolleve të sigurisë në porte si Roterdami dhe Felixstowe ka bërë që kartelet të përdorin metoda më të hapura dhe më të rrezikshme.

Sipas raportit të organizatës Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC), skafet nisen zakonisht gjatë natës nga brigjet veriore të Marokut, të ngarkuara me kokainë të ardhur nga Amerika e Jugut.

Gjatë udhëtimit, ato takohen në pika të paracaktuara me mjete të tjera lundruese më të mëdha, të cilat u sigurojnë karburant, ushqime dhe, nëse është e nevojshme, edhe anëtarë të rinj të ekuipazhit.

Më pas, skafet vijojnë me shpejtësi drejt brigjeve të Andaluzisë, në Spanjë, ku droga zbarkohet në plazhe të izoluara, grykëderdhje lumenjsh dhe zona të tjera të vështira për t’u monitoruar. Në breg i presin persona të tjerë, të cilët kujdesen për transportimin e ngarkesës drejt destinacioneve të mëtejshme.

Autoritetet përballen me një sfidë gjithnjë e më të madhe

Përdorimi i këtyre mjeteve ka rritur ndjeshëm rrezikun për forcat e rendit. Ekuipazhet e skafeve nuk ngurrojnë të përballen me policinë dhe në disa raste përdorin armë zjarri.

Ekspertët paralajmërojnë se grupet kriminale po fitojnë avantazh jo vetëm për shkak të shpejtësisë së mjeteve, por edhe të numrit të madh të tyre, duke e bërë të vështirë ndalimin e të gjithë flotës.

Sipas të dhënave të cituara në raport, prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut është katërfishuar gjatë periudhës 2014–2024, duke arritur në 4,100 tonë.

Ndërkohë, vetëm në Angli dhe Uells vlerësohet se janë konsumuar rreth 123 tonë kokainë gjatë vitit që përfundoi në korrik 2025, një rritje prej 26% krahasuar me vitin 2021.

Skafet “narcolanchas”, të cilat fillimisht përdoreshin kryesisht për kontrabandën e hashashit, po kthehen kështu në një nga mjetet kryesore të transportit të kokainës drejt Europës.

Lexo edhe

“The Sun”: 30 shqiptarë u dënuan për trafik droge vetëm në 1 muaj

Takim me kongresmenin Gooden, Berisha: Drejtësi e pavarur dhe luftë kundër karteleve të drogës

Reklame