Gjatë shtatë ditëve të protestave, krahas efektivëve me uniformë, vëmendje kanë tërhequr edhe persona me rroba civile, të cilët dyshohet se lëvizin me automjete me targa private dhe ndërhyjnë për të shoqëruar protestuesit drejt komisariateve.
Në protestat e ditëve të fundit, një nga shqetësimet e ngritura nga pjesëmarrësit lidhet me praninë e personave civilë që lëvizin me makina jo të identifikuara si mjete zyrtare të Policisë. Sipas denoncimeve të protestuesve, në disa raste këta persona kanë ndërhyrë gjatë tubimeve dhe kanë shoqëruar qytetarë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si kryhen këto veprime dhe mbi identitetin e personave të përfshirë.
Tempull.com do të publikojë targat e automjeteve të evidentuara gjatë protestave, me qëllim që të ngrihen pyetje mbi përdorimin e makinave private në operacionet e policisë dhe të kërkohet transparencë nga institucionet përgjegjëse.
Kur një qytetar ndalohet apo shoqërohet nga persona me veshje civile dhe automjete me targa private, publiku ka të drejtë të kërkojë sqarime: kush janë këta persona, në çfarë cilësie veprojnë dhe mbi çfarë baze ligjore kryhen shoqërimet?
Fakti që një automjet ka targa private, në vetvete, nuk provon se përdoret nga policia. Po ashtu, identiteti i pronarit të regjistruar nuk provon domosdoshmërisht se ai e ka drejtuar mjetin gjatë protestës. Për këtë arsye, çdo targë e publikuar duhet të lidhet me rrethana konkrete të dokumentuara dhe pretendimet të verifikohen përpara se të paraqiten si fakte.
Pas shtatë ditësh protestash dhe përplasjesh, transparenca për mënyrën e veprimit të forcave të rendit është thelbësore. Policia duhet të sqarojë nëse dhe si përdoren automjete me targa private nga efektivët civilë, si identifikohen personat që kryejnë shoqërimet dhe çfarë garancish kanë qytetarët për ligjshmërinë e këtyre veprimeve. Nderkohe qe para dy ditesh nje qytetar ngriti shqetesimin publik se makina e tij e ballokuar nga policia po perdorej per arrestimet ne proteste.
Pyetja që kërkon përgjigje mbetet e drejtpërdrejtë: kush lëviz me këto automjete gjatë protestave dhe kush mban përgjegjësi për ndërhyrjet ndaj protestuesve?

lexo edhe
Pas shtatë ditësh protestash, vijnë përforcime nga Turqia? Dy autobotë uji zbresin në Rinas
Rikthehet tensioni në protestë, policia ndjek turmën me autobotin e ujit













