Policia e Shtetit ka njoftuar vendosjen e kufizimeve të posaçme për qarkullimin e mjeteve të rënda gjatë sezonit turistik veror 2026, me qëllim lehtësimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore në akset kryesore të vendit.
Sipas njoftimit, masat do të jenë në fuqi nga 19 qershori deri më 15 shtator 2026 dhe do të zbatohen gjatë fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare.
Kufizimet prekin mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe kategori të tjera të përcaktuara në udhëzimet përkatëse.
Masat do të zbatohen në autostrada, rrugë interurbane dhe në akset kryesore që lidhin zonat turistike dhe bregdetare, ku gjatë verës regjistrohet fluks i lartë lëvizjesh.
Orari i kufizimeve
Sipas vendimit:
- Të premten: nga ora 15:00 deri në 24:00;
- Të shtunën: nga ora 07:00 deri në 24:00;
- Të dielën: nga ora 07:00 deri në 24:00.
Për ditët e festave zyrtare, kufizimet do të zbatohen:
- Nga ora 15:00 e ditës pararendëse deri në orën 22:00;
- Nga ora 07:00 deri në 24:00 gjatë ditës së festës.
Mjetet që përjashtohen
Nga këto masa nuk do të preken mjetet e emergjencës, mjetet e Policisë së Shtetit dhe të institucioneve shtetërore, si dhe automjetet që transportojnë mallra të domosdoshme, përfshirë produktet ushqimore që prishen shpejt.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe kompanive të transportit të respektojnë oraret e përcaktuara për të shmangur penalitetet dhe për të kontribuar në mbarëvajtjen e qarkullimit gjatë sezonit turistik.














