Një 25-vjeçar shqiptar është arrestuar në qytetin Pylos, në Greqi, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një berber dhe i ka dëmtuar automjetin.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë greke, ngjarja ka ndodhur pasditen e 7 shkurtit. Fillimisht, i riu ishte paraqitur si klient në një berberhane të zonës, ku ishte qethur normalisht nga pronari i biznesit, një 51-vjeçar.
Pas largimit, për arsye ende të paqarta, 25-vjeçari është rikthyer në ambientet e berberhanes, këtë herë i pajisur me një shkop metalik të palosshëm. Autoritetet bëjnë me dije se ai fillimisht e ka ofenduar verbalisht berberin dhe më pas e ka goditur, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Po ashtu, i arrestuari dyshohet se ka dëmtuar edhe automjetin në pronësi të 51-vjeçarit, i cili ishte i parkuar pranë lokalit.
Policia greke ndërhyri menjëherë pas denoncimit, duke bërë të mundur arrestimin e autorit, ndërsa ndaj tij pritet të ngrihen akuza për dhunë fizike, fyerje dhe dëmtim prone. Hetimet vijojnë për të sqaruar motivet e konfliktit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.














