Policia e Korçës ka finalizuar një operacion kundër lojërave të fatit të paligjshme dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar pronarin e një lokali në fshatin Bulgarec.
Në pranga është vënë shtetasi A. R., 57 vjeç, i cili, sipas hetimeve, organizonte lojëra fati të paligjshme dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë brenda ambientit të lokalit të tij.
Gjatë kontrollit policor, u konstatua se lokali ishte përshtatur për zhvillimin e bixhozit të paligjshëm, si dhe për përdorimin e lëndëve narkotike. Në banak u gjetën dhe u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, ndërsa nga këqyrja e telefonit celular të 57-vjeçarit u zbuluan faqe aktive për baste sportive online.
Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, disa persona të pranishëm tentuan të fshihnin provat, duke sjellë nisjen e procedimit penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” ndaj shtetasve R. K. dhe F. A., banues në fshatin Vinçan, Korçë, si dhe H. M., banues në fshatin Vloçisht, Maliq.
Po ashtu, nisi procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj 14 shtetasve të tjerë, të cilët kishin dijeni për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, por nuk e kishin kallëzuar atë pranë organeve të rendit.
Në ambientin e lokalit ndodhej edhe një punonjës policie, shtetasi D. L., me detyrë punonjës pranë PKK Kapshticë, ndaj të cilit u referua procedim penal për veprën “Shpërdorimi i detyrës”. Paralelisht, ndaj tij ka nisur edhe hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë, shuma monetare në lekë dhe valutë të huaj, një automjet, 8 aparate celularë, si dhe letra bixhozi dhe çipsa, të përdorura për lojërat e fatit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme hetimore.














