Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas aksioneve të fundit të SPAK, duke deklaruar se ato po zbulojnë mekanizmin që, sipas tij, është ngritur nga kryeministri Edi Rama për investimin e parave të drogës në sektorin e ndërtimit.
Sipas Këlliçit, opozita e ka denoncuar prej vitesh fenomenin e pastrimit të parave në ndërtim, ndërsa akuzoi Ramën se është “arkitekti” dhe “garantuesi” i kësaj skeme.
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti demokrat iu referua edhe asaj që ai e quan “Samiti i Arubës”, duke pretenduar se rasti tashmë është dokumentuar nga SPAK dhe përbën një shembull të mënyrës se si, sipas tij, grupet kriminale janë orientuar për të investuar paratë në sektorin e ndërtimit.
Këlliçi deklaroi se SPAK ka detyrimin ligjor të hetojë deri në nivelet më të larta të përgjegjësisë, ndërsa theksoi se qytetarët presin transparencë dhe zbardhjen e plotë të çështjes.
Deputeti i PD-së bëri të ditur gjithashtu se do të ndërmarrë nisma parlamentare dhe ligjore lidhur me situatën në sektorin e ndërtimit. Ai tha se prej dy muajsh ka nisur komunikimet me institucionet përgjegjëse dhe se së shpejti do të paraqesë propozime konkrete.
Mes masave që ai paralajmëroi janë ndryshime ligjore për të kufizuar mundësinë që kompani me kapital minimal të marrin leje për projekte me vlera shumë të larta, si dhe forcimi i mekanizmave kundër pastrimit të parave në ndërtim.
Këlliçi kërkoi gjithashtu ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar zhvillimet në këtë sektor, duke argumentuar se një proces i tillë do t’i shërbente transparencës dhe interesit publik, veçanërisht për qytetarët që përballen me vështirësi në blerjen e banesave.














