Për shkak të bllokimit të rrugës Librazhd–Elbasan, rreth 30 kamionë janë bllokuar në pikën kufitare të Qafë Thanës, duke pritur prej ditësh për të kaluar kufirin. Shkak është bërë prishja e segmentit rrugor, që përdorej si itinerari kryesor i lëvizjes.
Për pasojë, shumë kamionë janë detyruar të ndryshojnë rrugëkalim dhe të kalojnë tranzit nëpër Maqedoninë e Veriut, duke shkaktuar pritje të gjata dhe rritje të fluksit në pikën kufitare. Drejtuesit e mjeteve tregojnë se situata është e vështirë: disa kanë mbetur pa ushqim dhe ujë, flenë brenda kabinave dhe presin shpresëplotë hapjen e rrugës.
“Kemi katër ditë këtu, kemi mbetur pa bukë dhe ujë. Po flemë në kabinë dhe shpresojmë të hapet rruga nga pala shqiptare,” tha një shofer. Një tjetër shtoi: “Moti është i ftohtë, shpenzimet janë të mëdha, problemet shumë të mëdha. Nuk dimë më çfarë të bëjmë.”
Autoritetet shqiptare raportojnë se gjatë 24 orëve të fundit në Qafë Thanë kanë hyrë 1,510 shtetas dhe kanë dalë 1,703, një rritje e dukshme e fluksit për shkak të devijimeve të detyruara të trafikut.














