Policia e Lezhës ka parandaluar një vrasje të mundshme për hakmarrje në Kurbin, duke arrestuar një 37-vjeçar, i cili dyshohet se po përgatitej të merrte gjakun e vëllait të vrarë në korrik të këtij viti.
Operacioni i koduar “Argos” u finalizua pas monitorimit dhe ndjekjes në dinamikë të situatës kriminale në qark. Sipas policisë, i arrestuari u kap në Fushë-Milot, teksa lëvizte me një automjet të blinduar tip “Mercedes-Benz ML”, me targa gjermane.
Gjatë kontrollit, efektivët i gjetën një armë zjarri automatike të tipit “Skorpion”, të cilën e mbante në një çantë, së bashku me një krehër me 16 fishekë. Arma, municioni dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Dyshimet për hakmarrje pas vrasjes së të vëllait
Sipas policisë, 37-vjeçari Emanuel Lika, është vëllai i Ilir Likës, 40 vjeç, i cili u vra më 9 korrik 2026 në Kurbin. Për këtë ngjarje, si autor i dyshuar është identifikuar Artur Suti, fqinj i viktimës, i cili vijon të jetë në kërkim.
Hetuesit dyshojnë se i arrestuari mund të kishte planifikuar të vriste personin e dyshuar për ekzekutimin e të vëllait, në shenjë hakmarrjeje. Megjithatë, rrethanat dhe qëllimi i tij i mundshëm mbeten objekt hetimi.
U kap i armatosur në automjet të blinduar
Policia bëri të ditur se i arrestuari ka precedentë për përfshirje në ngjarje kriminale të mëparshme. Sipas raportimeve, ai dhe vëllai i tij kanë përdorur mbiemra të ndryshëm ndër vite.
Operacioni u realizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim për vrasjen e 9 korrikut dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe
Të armatosur dhe të maskuar si policë, 5 persona grabisin një banesë në Elbasan
Aksion i SPAK dhe Policisë së Shtetit, 5 urdhër-arreste për kontrabandë emigrantësh













