Ish-kryetari i bashkisë së New York City, Eric Adams, është regjistruar zyrtarisht si banor në Njësinë Administrative Nr. 2 në Tirana, pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare pak ditë më parë.
Sipas njoftimeve të bëra publike, Adams ka kryer procedurat e regjistrimit si rezident në kryeqytet dhe, sipas fotove të publikuara, ka aplikuar gjithashtu për pajisjen me pasaportë shqiptare.
Kreu i Njësisë Administrative Nr. 2, Florian Pullazi, ka ndarë në rrjetet sociale foto nga takimi, ku e cilëson Adams si “banorin më të ri të njësisë”, duke e pritur atë në ambientet e institucionit lokal.
Në një postim të tij, Pullazi shkruan se Adams, ish-senator dhe ish-kapiten i Departamentit të Policisë së New Yorkut, është një mik i njohur i komunitetit shqiptar dhe një figurë e angazhuar në çështjet e sigurisë publike.
Ai thekson gjithashtu se marrja e shtetësisë shqiptare nga Adams është reflektim i lidhjeve të hershme mes qytetit të New Yorkut dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, nga sot, Eric Adams konsiderohet edhe banor i Njësisë Nr. 2 në kryeqytetin shqiptar.














