Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit është shtyrë, pasi mbrojtja nuk mori pjesë në proces në përputhje me vendimin për bojkot të Dhomës së Avokatisë.

Avokatët e dy të pandehurve ishin të pranishëm në ambientet e gjykatës, por nuk u ulën në vendet e rezervuara për mbrojtjen. Ata qëndruan në pjesën e publikut dhe njoftuan trupin gjykues se nuk do të merrnin pjesë në seancë për shkak të bojkotit.

Reklame

Gjatë seancës, Meta kërkoi disa herë që të merrte fjalën, por gjykata nuk ia dha atë. Pas përfundimit të seancës, ish-presidenti ngriti pretendimin se mbrojtjes nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha materialet e dosjes.

Sipas Metës, dosja përmban 77 fashikuj, ndërsa deri tani atij i janë vënë në dispozicion vetëm 55. Ai u shpreh gjithashtu se prokuroria kishte propozuar që materialet e mbetura të kopjoheshin në CD dhe t’u dorëzoheshin avokatëve.

Prokurori Sotir Kllapi deklaroi pas mbylljes së seancës se avokati i Metës kishte paraqitur kërkesa lidhur me aktet e dosjes. Ai tha se prokuroria ishte e gatshme të përgatiste një kopje të plotë të materialeve në CD, në mënyrë që ato të merreshin nga mbrojtja.

Duke komentuar situatën, Meta kritikoi mënyrën se si po zhvillohej procesi dhe vuri në pikëpyetje faktin që nuk iu dha mundësia të fliste në sallën e gjyqit.

 

 

Lexo edhe:

Maxhoranca rrëzon kërkesën e PD për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve/ Përplasje Bardhi-Balla në Kuvend

 

Presidenti dekreton shkarkimin e ish-ministrit Lamallari, Ervin Demo emërohet ministër i Brendshëm

Reklame