Një ditë pas shpërthimit të fuqishëm në karburantin “Eida”, në zonën e Brrylit në Tiranë, pasojat e ngjarjes janë ende të dukshme.

Godina e karburantit është dëmtuar rëndë, ndërsa inertet janë larguar gjatë orëve të vona të natës. Dëmtime ka edhe në ambientet dhe bizneset pranë pikës së karburantit, ndërsa disa banesa kanë pësuar dëmtime në dyer dhe dritare nga fuqia e shpërthimit.

Reklame

Tre punonjësit e karburantit, të cilët mbetën të plagosur nga shpërthimi, vijojnë trajtimin në repartin e djegieve plastike dhe raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Tre pista për shkakun e shpërthimit

Shkaku i saktë i shpërthimit ende nuk është përcaktuar. Hetuesit po verifikojnë disa pista, ndërsa një prej tyre lidhet me një automjet tip “Polo”, i cili në momentin e ngjarjes po furnizohej me gaz.

Sipas Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, shkëndija mund të jetë shkaktuar gjatë procesit të furnizimit të automjetit.

Megjithatë, pamjet e marra në vendngjarje ngrenë pikëpyetje të tjera. Djegiet në automjet duken të përqendruara në pjesën e djathtë, pikërisht në zonën ku ndodhej pika e furnizimit me gaz. Ky element po verifikohet nga hetuesit dhe nuk përbën ende një përfundim mbi shkakun e shpërthimit.

Një tjetër pistë lidhet me ambientet e brendshme të karburantit. Drejtori i Zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj, ka ngritur dyshimin se flakët e para mund të jenë shfaqur brenda zyrave ku qëndronin punonjësit.

Në pamjet e regjistruara rreth orës 06:30, sipas këtij versioni, flakët duken në pjesën e sipërme të ambienteve të zyrave. Edhe kjo pistë mbetet për t’u verifikuar.

Hetimi po shqyrton gjithashtu mundësinë që problemi të ketë nisur nga cisternat apo sistemi i furnizimit me karburant. Për këtë arsye, policia ka marrë në pyetje edhe drejtuesin e një automjeti që merret me furnizimin e cisternave.

Kamerat mund të zbardhin momentin e parë

Për momentin, asnjë prej këtyre versioneve nuk është konfirmuar si shkaku përfundimtar i shpërthimit.

Policia po mbledh pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, me synimin për të përcaktuar se ku ka nisur shkëndija dhe ku janë shfaqur flakët e para.

Një element i rëndësishëm i hetimit janë edhe pajisjet DVR të karburantit. Autoritetet pritet të verifikojnë nëse ato kanë mbijetuar pas shpërthimit dhe nëse mund të japin të dhëna për momentet para ngjarjes.

Katër persona janë marrë në pyetje deri tani, mes tyre administratori, drejtuesi teknik, menaxheri dhe një punonjës i karburantit. Sipas burimeve, ata kanë mohuar se aktiviteti kishte pasur probleme teknike të mëparshme.

Karburanti pranë pallateve, banorët ngrenë shqetësimin

Përtej shkakut të drejtpërdrejtë të shpërthimit, hetimi pritet të shtrihet edhe te mënyra se si është ndërtuar dhe autorizuar pika e karburantit.

Karburanti “Elda” ndodhet në një zonë të banuar, pranë pallateve dhe banesave. Banorët kanë ngritur shqetësimin për afërsinë e pikës së karburantit me ndërtesat e banimit, duke e cilësuar situatën si një “minë me sahat”.

Fuqia e shpërthimit ka shkaktuar dëmtime në disa dyer e dritare të banesave përreth, ndërsa banorët kanë përshkruar momentet e para pas ngjarjes si të frikshme.

Për këtë arsye, autoritetet pritet të verifikojnë edhe dokumentacionin e aktivitetit, përfshirë autorizimet, lejen e ndërtimit, dokumentacionin urbanistik dhe respektimin e kushteve e distancave të sigurisë ndaj ndërtesave përreth.

Në përfundim të hetimeve pritet të përcaktohet nëse shkëndija e parë ka ardhur nga automjeti që po furnizohej me gaz, nga ambientet e zyrës apo nga sistemi i furnizimit me karburant.

Deri atëherë, asnjë prej pistave nuk mund të konsiderohet si shkak i konfirmuar i shpërthimit.

Lexo edhe:

Shpërthimi tek Karburant “Eida” te Brryli/ Dalin emrat e 3 të plagosurve, shembet godina

A do mbyllet karburant “EIDA” i Frident Kuqit, pas skandalit të zjarrit?!

Reklame