Inteligjenca artificiale bëhet pjesë e sistemit parauniversitar në Shqipëri. Në vitin e ri shkollor, mësuesit dhe nxënësit do të mund të përdorin mjete të inteligjencës artificiale si ChatGPT dhe Gemini, sipas udhëzuesit të hartuar nga Ministria e Arsimit.
Qëllimi është që IA të përdoret si mjet ndihmës dhe jo si zëvendësuese e aftësive njerëzore.
Çfarë mund të bëjnë mësuesit me IA?
Sipas udhëzuesit, mësuesit mund të përdorin inteligjencën artificiale për përgatitjen e materialeve mësimore, duke përfshirë krijimin e ushtrimeve, pyetjeve dhe testeve.
IA mund të përdoret gjithashtu për përshtatjen e detyrave sipas nivelit të nxënësve, për thjeshtimin e shpjegimeve, për përkthime dhe korrigjime gjuhësore, si dhe për planifikimin e një ore mësimore.
Kjo mund të aplikohet në një gamë të gjerë lëndësh, nga gjuha shqipe, gjuhët e huaja dhe matematika, deri te artet dhe edukimi fizik.
Sipas Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit, IA mund të ndihmojë mësuesit të krijojnë detyra me nivele të ndryshme vështirësie, në mënyrë që mësimi të përshtatet me ritmin dhe nevojat e nxënësve.
Edhe nxënësit mund ta përdorin
Udhëzuesi parashikon përdorimin e IA edhe nga nxënësit për kërkim informacioni, realizimin e projekteve dhe zhvillimin e kreativitetit.
Por përdorimi i saj nuk duhet të kthehet në kopjim.
Në dokument theksohet se nxënësi duhet të përdorë IA për të kuptuar një koncept, për të marrë sugjerime apo për të përmirësuar një draft, por duhet të jetë vetë ai që mendon, përpunon dhe krijon.
Kopjimi i drejtpërdrejtë i përgjigjeve të IA-së konsiderohet cenim i integritetit akademik.
Për këtë arsye, mësuesve u sugjerohet që nxënësit të shpjegojnë procesin e punës dhe jo vetëm produktin përfundimtar.
Rreziku i dezinformimit dhe privatësisë
Përdorimi i IA në shkolla sjell edhe një sërë rreziqesh.
Udhëzuesi vendos theks te verifikimi i informacionit të gjeneruar nga IA, mbrojtja e të dhënave personale, shmangia e plagjiaturës dhe përdorimi etik i teknologjisë.
Një tjetër kërkesë është anonimizimi i të dhënave. Mësuesit dhe nxënësit duhet të shmangin vendosjen në platformat e IA-së të emrave, inicialeve, fotografive, emrit të shkollës apo çdo informacioni tjetër që mund të identifikojë një person.
Në çdo rast, roli vendimmarrës mbetet te mësuesi.
Sa gati janë shkollat shqiptare?
Përdorimi i IA në arsim është mbështetur në parimet e udhëzuesit të UNESCO-s, i cili e konsideron inteligjencën artificiale një mundësi për përmirësimin e arsimit, por vetëm nëse shoqërohet me politika të qarta, mësues të përgatitur dhe masa për mbrojtjen e nxënësve.
Tashmë Shqipëria po e hap derën e klasave për inteligjencën artificiale.
Por pyetja që mbetet është:
A janë shkollat, mësuesit dhe nxënësit shqiptarë realisht gati për këtë ndryshim?
Lexo edhe:















