11 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Shqipëri, ndërsa 5 të tjera janë nën mbikëqyrje. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, nga të cilat 16 janë shuar.
Për përballimin e situatës është angazhuar një numër i madh forcash dhe mjetesh në të gjithë vendin. Në terren janë mobilizuar 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor.
Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku operacionet vijojnë.
Dajti, Shkodër dhe Fier në fokus
Në Malin e Dajtit, krahas strukturave bashkiake, janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe një helikopter.
Në Bardhaj të Shkodrës, operacioni vijon me 5 automjete zjarrfikëse, shërbimin pyjor dhe strukturat e emergjencave civile. Në mbështetje janë edhe Forcat e Armatosura me një automjet zjarrfikës dhe një helikopter. Sot operacionit i janë shtuar 33 forca dhe një ambulancë.
Situata është ndjekur me intensitet edhe në Fier, ku janë angazhuar 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë dhe 90 forca të tjera. Në operacion kanë marrë pjesë edhe 90 ushtarakë, një helikopter dhe një avion Air Tractor. Për sot vijon mbështetja me 33 forca.
Himara, zjarri është shuar
Ndërkohë, operacioni në Himarë është përmbyllur me fikjen e zjarrit, pas një mobilizimi të gjerë të strukturave në terren.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacion u angazhuan 26 automjete zjarrfikëse, 120 efektivë, 40 vullnetarë, 67 forca bashkiake, 20 forca policore dhe 180 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Prioriteti i ndërhyrjeve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, mbetet mbrojtja e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.
Lexo edhe:
Zjarret në Levan/ Çako: Prioriteti është jeta e njerëzve, 3 persona me asfiksi
“Zjarret e përshtatshme”/ Ina Zhupa: Me një shkrepëse, zona e mbrojtur mund të kthehet në resort















