Arrestimi i Ergys Agasit, një prej personave më të kërkuar, nuk mbyll historinë. Përkundrazi, duket se hap disa pikëpyetje të tjera që kërkojnë përgjigje.
Një prej tyre është: A duhej të ishte SHISH në dijeni të lëvizjeve të Agasit dhe a duhej të ishte pjesë e operacionit që çoi në lokalizimin dhe arrestimin e tij?
Në një operacion që lidhet me një person të shumëkërkuar dhe me dyshime për lidhje me krimin e organizuar, koordinimi dhe shkëmbimi i informacionit mes institucioneve ligjzbatuese dhe strukturave informative janë elementë që marrin rëndësi të veçantë.
Por në këtë rast lind pyetja: SHISH nuk u njoftua sepse operacioni kërkonte konfidencialitet maksimal, apo kishte një tjetër arsye?
Burime pranë çështjes pretendojnë se një nga shqetësimet kryesore ka qenë mundësia e dekonspirimit të operacionit. Sipas këtyre pretendimeve, dyshimet lidhen me faktin se persona në nivele të larta institucionale mund të kenë pasur kontakte ose lidhje të dyshuara me rrethin e Agasit.
Nëse këto pretendime do të konfirmoheshin, atëherë çështja do të merrte një tjetër përmasë: a ishte mosinformimi i SHISH një masë sigurie për të mbrojtur operacionin, apo një tregues i një problemi më të thellë brenda strukturave të sigurisë?
Dhe këtu historia bëhet edhe më interesante.
Si u lokalizua Agasi? Kush kishte informacion për lëvizjet e tij? Kush u informua për operacionin dhe, mbi të gjitha, kush nuk u informua?
Janë pyetje që kërkojnë përgjigje dhe që mund të hedhin dritë jo vetëm mbi arrestimin e Agasit, por edhe mbi mënyrën se si funksionon koordinimi mes institucioneve që duhet të luftojnë krimin e organizuar.
Për momentin, shumëçka mbetet në kuadrin e pikëpyetjeve dhe pretendimeve që kërkojnë verifikim.
Por disa emra kanë nisur të dalin në këtë histori. Emrat do t’i publikojmë së shpejti.
Lexo edhe:
SPAK zgjeron hetimet për tenderat e AKSHI-t, kontrolle në pronat e Ergys Agasit















