Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një ndryshim të mënyrës së komunikimit dhe funksionimit të mazhorancës pas marrjes së mandatit të katërt qeverisës, duke deklaruar se 83 mandatet e fituara nga Partia Socialiste duhet të përkthehen në më shumë përgjegjësi dhe afërsi me qytetarët.

Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar dhe qeverisë, Rama prezantoi tre mekanizma që, sipas tij, do të udhëheqin modelin e ri qeverisës: “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”.

Reklame

Kryeministri tha se administrata përballet me tre probleme kryesore: shtetin “labirint”, mungesën e memories institucionale dhe perceptimin se njohjet kanë më shumë peshë se merita.

“Njëra plagë është plaga e shtetit labirintit, qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet. Plaga 2 është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet, vendoset, por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës”, deklaroi Rama.

Rama: Deputeti nuk duhet të bëjë rolin e sekserit

Një nga mesazhet më të forta të kryeministrit ishte ai për punësimet në administratë.

Rama paralajmëroi se do të propozojë që ndërhyrjet e deputetëve për punësimin e personave në administratë të konsiderohen vepër penale.

“Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: ‘Fute këtë’, ‘shife atë’, të konsiderohet vepër penale”, tha kryeministri.

Sipas tij, punësimet duhet të kalojnë përmes një sistemi të ri të quajtur “Shkalla e Meritës”, ku kandidatët do të paraqesin një pasaportë profesionale dhe do t’i nënshtrohen një provimi dixhital.

Rama tha se procesi synon të garantojë një vlerësim sa më të paanshëm, pasi kandidatët do të identifikohen përmes kodeve dhe jo emrave gjatë procesit të vlerësimit.

“Prania Besnike”, çdo të premte në territor

Një tjetër mekanizëm është “Prania Besnike”, përmes të cilit deputetët dhe përfaqësuesit e qeverisë do të duhet të jenë çdo të premte në territor, në orën 17:00, për të dëgjuar problematikat e qytetarëve.

Rama kërkoi që deputetët të mos ndërhyjnë më drejtpërdrejt te drejtorët për çështjet e qytetarëve, por problematikat t’i përcjellin me shkrim në institucionet përgjegjëse.

“Prania Besnike nuk pranon numër telefoni dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave. Prania Besnike kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacion institucional”, tha Rama.

Edhe deputetët do t’i nënshtrohen një sistemi vlerësimi me 100 pikë, ku do të përfshihen puna parlamentare, prania në territor, dëgjimi i qytetarëve dhe ndjekja e problematikave të tyre.

“Pasqyrë Albania”, Rama: Duhet të nxjerrë në pah edhe dështimet e qeverisë

Mekanizmi i tretë, “Pasqyrë Albania”, synon të publikojë të dhëna dhe dokumente për çështje me rëndësi të veçantë.

Rama tha se testi i parë do të lidhet me investimet në Zvërnec dhe Sazan, ku premtoi publikimin e dokumenteve, të dhënave, procesverbaleve, statusit të negociatave dhe referencave ligjore.

Ai theksoi se kjo platformë duhet të funksionojë edhe si një instrument që ekspozon problemet dhe dështimet e vetë qeverisë.

“Nëse pasqyra përdoret kundër qeverisë, funksionon. Qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën, por duhet të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun”, deklaroi kryeministri.

Rama pranoi gjithashtu se mazhoranca ka qenë shpesh e pranishme në territor, por jo domosdoshmërisht aty ku qytetarët kanë pasur problemin konkret.

“Ne kemi munguar në pikën e hallit të njeriut, kemi qenë në çdo pikë të hartës. Distanca nga qytetari nuk matet me kilometrat që bën për të shkuar atje, por matet me sa të hapur janë veshët e tu kur qytetari flet”, tha ai.

Në përfundim, kryeministri përcaktoi edhe atë që e cilësoi si vijën e panegociueshme për mandatin e ri: partia nuk duhet të bëjë shtetin, deputeti nuk duhet të ndërmjetësojë favore dhe kryetari i partisë nuk duhet të shërbejë si sportel punësimi.

Lexo edhe:

Rama prezanton “Shkallën e Meritës”: Një tjetër platformë i shtohet “Besës”, “Pranisë Besnike” dhe “PasqyrAlbania”

Rama sulmon KLGJ dhe KLP: “Fytyra e dështimit të reformës në drejtësi, pagat e tyre janë disa herë më të larta se tonat”

Reklame