Ka nisur këtë të mërkurë zbatimi i ligjit për amnistinë penale, nga i cili përfitojnë mbi 1,300 persona, ndërsa 541 të dënuar lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit.

Ligji u miratua nga Kuvendi më 18 qershor me 84 vota pro dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj30 qershor, duke hyrë tashmë në fuqi.

Reklame

Kush përfiton nga amnistia?

Sipas ligjit, përfitojnë të gjithë personat që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj 2026, edhe në rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit ende nuk është zbardhur.

Amnistia parashikon:

  • Burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose me dënime alternative.
  • Gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet ose me dënime më të lehta.
  • Burrat që u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet burg.
  • Gratë që u kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vjet burg.
  • Personat që kanë qenë nën 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të veprave të rënda.
  • Burrat mbi 60 vjeç dhe gratë mbi 50 vjeç, nëse plotësojnë kriteret e ligjit.

Nga amnistia përfitojnë gjithashtu gra dhe të mitur.

Sa të burgosur lirohen sipas institucioneve?

Sipas të dhënave zyrtare, numri i të liruarve në disa nga institucionet penitenciare është:

  • Lushnja – 127 të liruar
  • Fieri – 104 të liruar
  • Reçi – 101 të liruar
  • Rrogozhina – 94 të liruar
  • Korça – 60 të liruar
  • Tirana – 6 të liruar

Emrat e njohur që përfitojnë

Mes personave që përfitojnë nga amnistia janë edhe disa emra të njohur.

Lirohet Rozeta Dobi, ish-sanitarja e Alda Klosit, e dënuar me 4 vite e 8 muaj burg, pas çështjes së bujshme ku në banesën e saj u gjetën rreth 500 mijë euro.

Nga amnistia përfiton edhe Erisa Fero, ish-punonjësja e AKSHI-t, e arrestuar pasi u kap me 58 kilogramë kanabis.

Po ashtu lirohet edhe Marsela Pushani, mësuesja e dënuar për vrasjen e motrës së saj.

Kush nuk përfiton?

Ligji përjashton nga amnistia autorët e veprave të rënda penale, mes tyre:

  • vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës;
  • krimet kundër njerëzimit;
  • përdhunimet dhe krimet seksuale;
  • trafikimin e qenieve njerëzore;
  • vepra të tjera me rrezikshmëri të lartë.

Gjithashtu nuk përfitojnë personat që janë fshehur, janë arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimeve penale.

Po ashtu, asnjë person i dënuar për çështje që janë në juridiksionin e SPAK apo me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) nuk përfiton nga amnistia, pavarësisht veprës penale për të cilën është dënuar.

Përveç lirimeve nga burgu, ligji parashikon edhe faljen e ndjekjes penale për një kategori kundërvajtjesh dhe veprash penale me rrezikshmëri të ulët, sipas kushteve të përcaktuara në aktin e miratuar nga Kuvendi.

Gati amnistia penale: 338 të dënuar lirohen, mbi 10 mijë përfitojnë nga ulja e dënimit

DEKRETOHET AMNISTIA PENALE! Presidenti Begaj kalon ligjin! Kush përfiton e kush jo

Reklame