TIRANË – Detaje të reja dalin nga operacioni për arrestimin e Ergys Agasit, i cili prej dhjetorit të vitit të kaluar ndodhej në arrati dhe u arrestua pasditen e 26 gushtit në zonën e Plepave në Durrës.

Sipas burimeve të cituara në informacion, për lokalizimin e Agasit ishte ngritur një grup i posaçëm operacional, i cili për rreth tre javë ndoqi dhe dokumentoi lëvizjet e tij.

Reklame

Pasi hetuesit identifikuan disa prej bazave ku dyshohej se qëndronte, nisi gjurmimi i personave që e transportonin apo dyshohej se e mbështesnin financiarisht.

Burimet bëjnë me dije se lëvizjet e Agasit janë fotografuar dhe dokumentuar në procesverbale, materiale që pritet të përdoren gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor.

Qëndroi në zonën e Steblevës

Sipas të njëjtave burime, Agasi kishte qëndruar së fundmi në zonën e Steblevës, mes Librazhdit dhe Dibrës. Pozicioni i zonës i krijonte mundësi për lëvizje në drejtime të ndryshme në rast se do të identifikohej nga autoritetet.

Forcat operacionale e mbajtën zonën nën vëzhgim deri në momentin kur morën informacion se Agasi do të largohej në drejtim të Durrësit.

Në këtë pikë nisi faza finale e operacionit.

40 kilometra ndjekje, arrestimi te Plepat

Sapo Agasi hipi në një automjet tip “Audi”, të drejtuar nga ish-polici Uljan Shpataraku, disa automjete civile nisën t’i ndiqnin për më shumë se 40 kilometra.

Operacioni u finalizua në zonën e Plepave në Durrës, ku dy furgonë të Policisë së Durrësit ngritën një postbllok për ndalimin e automjetit.

Sipas burimeve, patrulla në terren kishte marrë vetëm të dhënat e automjetit dhe targën, pa pasur informacion mbi identitetin e personave që ndodheshin brenda.

Pas ndalimit të makinës, forcat operacionale ndërhynë dhe vendosën në pranga Ergys Agasin dhe Uljan Shpatarakun.

Çfarë u gjet në makinë?

Gjatë kontrollit të automjetit, sipas burimeve, u sekuestruan dy telefona celularë, një çantë e vogël, rreth 4 mijë euro dhe sende të tjera.

Materialet e sekuestruara po i nënshtrohen ekspertimit nga Policia Shkencore.

Mësohet gjithashtu se gjatë shoqërimit Agasi nuk ka komunikuar me efektivët e policisë. Pas arrestimit, ai është dërguar në ambientet e paraburgimit në Tiranë.

Arrestimi i tij lidhet me hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t, ku Agasi është nën akuzë për veprimtari kriminale dhe manipulim të procedurave të prokurimit, akuza të cilat do të vlerësohen nga organet e drejtësisë.

Lexo edhe

Berisha shpërthen pas arrestimit të Agasit: “Kontrollonte SHISH-in, emëronte ministrat! Rama i arredoi vilën në Durrës”

Berisha: Agasi koordinonte Ramën me kartelet e drogës. A ishte ky një arrestim i vërtetë?

Reklame