Një zjarr i fuqishëm përfshiu në orët e para të mëngjesit një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhej edhe hoteli “Brooklyn”. Flakët shkaktuan panik te pushuesit, ndërsa disa prej tyre u detyruan të kërkonin shpëtim duke dalë nga ballkonet.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka nisur në një lokal në katin e parë të godinës dhe më pas është përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si edhe në fasadën e ndërtesës.

Reklame

Dyshohet se shkak i zjarrit kanë qenë dy frigoriferë në hyrje të lokalit, të cilët mund të kenë pësuar defekt në qarkun elektrik. Megjithatë, shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet nga hetimet.

Pushuesit u hodhën nga ballkonet

Situata u bë veçanërisht e rrezikshme për personat që ndodheshin në hotel, pasi tymi i dendur përfshiu korridoret dhe flakët penguan daljen nga dhomat.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentet e frikshme, ku disa pushues, për të shpëtuar nga zjarri, kalojnë barrierat e ballkoneve dhe hidhen në pjesën e poshtme të godinës.

Një prej tyre është 21-vjeçari Luan Salihu, nga Lipjani, i cili ndodhej në gjumë me bashkëshorten kur kuptoi se kishte rënë zjarr.

Ai ka treguar se fillimisht dëgjuan zhurma dhe panë tym në korridor. Kur dolën në ballkon, përballë tyre ishin flakët dhe çifti vendosi të hidhej për të shpëtuar.

Salihu nuk pësoi djegie, por u dëmtua në këmbë gjatë rënies.

Edhe një pushues nga Polonia ka treguar se u zgjua nga tymi dhe britmat dhe u detyrua të hidhej nga dritarja për të kërkuar ndihmë.

7 persona të plagosur, disa u dërguan në Tiranë

Nga zjarri janë lënduar 7 persona, gjashtë prej tyre shtetas të Kosovës dhe një person nga Rrësheni.

Të dëmtuarit u transportuan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës. Pesë prej tyre u nisën drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Dy pacientë u dërguan në Spitalin e Traumës për shkak të frakturave, ndërsa tre të tjerë në repartin e djegieve në QSUT. Një tjetër i dëmtuar vijon të marrë trajtim në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Vlorës.

Mes të plagosurve është edhe një vajzë e re, e cila raportohet në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të djegieve të shumta.

Sipas shefit të Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, disa prej pacientëve kishin pësuar djegie të rënda, ndërsa dy persona kishin marrë fraktura pasi ishin hedhur nga kati i dytë.

Në hotel kishte edhe turistë të huaj

Në hotel ndodheshin edhe turistë të huaj, mes tyre pushues nga Polonia dhe Ukraina, të cilët u përballën me situatën e rrezikshme gjatë orëve të para të mëngjesit.

Dëshmitë e pushuesve tregojnë se zjarri u përhap me shpejtësi dhe se tymi e bëri të pamundur daljen normale nga godina.

Një prej pushuesve nga Kosova ka treguar se ishte dita e dytë e qëndrimit në hotel kur ndodhi ngjarja.

Ndërtesa u dëmtua rëndë

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse dhe Policia, të cilat ndërhynë për lokalizimin e flakëve dhe evakuimin e personave që ndodheshin në godinë.

Për shkak të rrezikut, e gjithë ndërtesa u evakuua, ndërsa zjarri shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe godina u dëmtua rëndë nga flakët dhe tymi.

Policia dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi shkakun e zjarrit dhe rrethanat e ngjarjes.

Ngjarja ka tronditur zonën e Lungomares, e cila në këto ditë të sezonit veror është e mbushur me pushues dhe turistë.

Lexo edhe:

Zjarret në Shqipëri, 13 vatra aktive: 200 hektarë pyll të djegur në Lurë

Situata e zjarreve në Shqipëri deri në orën 20:00, nga 31 vatra, 11 mbeten aktive

Reklame