Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjetin social X lidhur me debatin e fundit mes Shqipërisë dhe Serbisë për deklaratat mbi mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Debati është përshkallëzuar pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili e ka cilësuar çështjen si një çështje të brendshme të Serbisë.

Reklame

Më herët, ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, kishte paralajmëruar se uji nuk duhet të përdoret si instrument presioni apo ndëshkimi politik dhe kishte theksuar karakterin ndërkufitar të sistemit ujor të Ibrit.

Në reagimin e tij, Rama thekson se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se mbështetja e Tiranës për Kosovën nuk lidhet me ndonjë projekt për “Shqipëri të Madhe”.

Sipas kryeministrit, Kosova është shtet më vete, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë institucionet dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe nuk ka nevojë të shpikë ndonjë”, shkruan Rama, duke shtuar se Tirana nuk ka nevojë për narrativën e “Shqipërisë së Madhe” për të qëndruar pranë Kosovës.

Rama: Çështja është lumi Ibër

Duke iu rikthyer pikës kryesore të debatit, Rama argumenton se Ibri është një sistem ujor ndërkufitar.

Sipas tij, Serbia është e lirë të menaxhojë burimet ujore që ndodhen brenda juridiksionit të saj, por pasojat e mundshme për një shtet tjetër nuk mund të konsiderohen thjesht çështje e brendshme.

“Lumenjtë kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo pikat e bisedës diplomatike”, shkruan Rama.

Debati për Ibrin ka marrë një dimension diplomatik pasi Vuçiç deklaroi se Serbia po shqyrtonte mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit. Shqipëria reagoi duke kërkuar që uji të mos përdoret si mjet presioni politik, ndërsa Beogradi e akuzoi Tiranën për ndërhyrje në një çështje që e konsideron të brendshme.

Rama: Të mbrohen të drejtat e serbëve në Kosovë

Në postimin e tij, kryeministri shqiptar është ndalur edhe te komuniteti serb në Kosovë.

Rama thekson se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e komunitetit serb duhet të mbrohen.

Ai argumenton se mbrojtja e këtyre të drejtave është pjesë e detyrimeve të një shteti demokratik dhe nuk bie në kundërshtim me mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën.

Në fund, Rama deklaron se Shqipëria dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë dhe një rajon të integruar në Bashkimin Evropian.

Por, sipas tij, fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë pranimin e një versioni të historisë që mohon realitetet territoriale të sotme.

Duke iu kthyer edhe një herë Ibrit, Rama e mbyll reagimin me një mesazh simbolik: lumi do të vazhdojë të ndjekë rrjedhën e përcaktuar nga gjeografia dhe jo nga debatet politike.

Lexo edhe:

U shpall “non grata” nga Shqipëria, reagon politikani i RMV: Rama dhe Vuçiç më futën në listën ‘e zezë’

Përplasja Tiranë-Beograd, vjen edhe reagimi i Vuçiç: Nuk e di ç’lidhjeje ka Ibri me Shqipërinë

Reklame