Objekti 5-katësh pa leje, Hita pezullon gjithë zinxhirin komandues të Policisë Himarë (EMRAT)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra të gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur në Qeparo është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje.

Nga detyra janë pezulluar Nënkomisari Ferit Merkaj, Komisari Emiljano Prenga, Nënkomisari Klodjan Petani dhe Inspektori Redin Çaushaj. Ndaj katër punonjësve ka nisur edhe hetim disiplinor.

Sipas Policisë së Shtetit, nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, kishte nisur në dhjetor 2025, ndërsa gjatë kësaj periudhe nga Komisariati i Policisë Himarë nuk janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personit që po kryente punimet.

Objekti kishte një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, duke u ndërtuar pa lejen e organeve kompetente.

Arrestohet pronari, 3 punonjës të IMT-së në kërkim

Për ndërtimin pa leje është arrestuar pronari i objektit, Lulzim Bujari, ndërsa tre punonjës të IMT-së Himarë, përfshirë kryeinspektorin dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkohë, objekti është shembur pas ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse.

Policia e Shtetit deklaron se pezullimi i punonjësve dhe nisja e hetimit disiplinor janë bërë për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me mosveprimin gjatë periudhës së ndërtimit.

Në njoftimin zyrtar, Policia thekson se do të marrë masa ndaj çdo punonjësi që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrat apo cenon besimin e qytetarëve.

Lexo edhe:

Himarë/ Ndërtohej pa leje një objekt 5-katësh në Qeparo, arrestohet pronari dhe pezullohen zyrtarë

Himarë/ Jet Ski rrezikoi pushuesit në Bunec, Policia e bllokon dhe gjobit drejtuesin me 300 mijë lekë

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version