Një objekt 5-katësh në proces ndërtimi, i dyshuar se po ndërtohej tërësisht pa leje, është konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë në zonën e quajtur Sugë, Qeparo.
Në lidhje me rastin është arrestuar në flagrancë Lulzim Bujari, 39 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për ndërtimin e objektit pa leje.
Ndërkohë, për shpërdorim detyre, janë shpallur në kërkim kryeinspektori i IMT-së Himarë, Dorjan Hoxha, si dhe inspektorët Mateo Koshi dhe Andi Hoxha.
IKMT shemb objektin pa leje
Pas konstatimit të ndërtimit, në terren ka ndërhyrë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i cili ka shembur objektin.
Sipas IKMT-së, pronari ka pretenduar se në atë zonë kishte prej kohësh një objekt dykatësh, njëri prej kateve nëntokë, për të cilin kishte aplikuar për legalizim. Megjithatë, gjatë një periudhe të shkurtër dyshohet se ndërtimit i janë shtuar edhe tre kate të tjera, duke e çuar objektin në pesë kate.
Tavo shkrin IMT-në e Himarës
Pas evidentimit të rastit, kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ka vendosur shkrirjen e strukturës lokale të IMT-së, duke e cilësuar të patolerueshme neglizhencën në kontrollin e territorit.
Tavo deklaroi se detyra kryesore e strukturës është mbrojtja e territorit dhe se faktet tregojnë se janë lejuar ndërtime pa leje.
Sipas tij, kompetencat për kontrollin e territorit dhe ndërhyrjen ndaj ndërtimeve pa leje do t’i kalojnë IKMT-së, e cila do të mbulojë territorin e Himarës me inspektorët e saj.
Kjo është hera e dytë brenda një viti që merret një masë e tillë ndaj IMT-së së Himarës. Në qershor 2025, struktura ishte shkrirë pas evidentimit të një sërë ndërtimesh pa leje në Dhërmi dhe Jalë.
Pezullohet edhe zinxhiri komandues i Policisë së Himarës
Masat nuk janë kufizuar vetëm te strukturat e inspektimit të territorit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të zinxhirit komandues të Policisë së Himarës që ishte në detyrë gjatë periudhës kur po kryhej ndërtimi.
Nga detyra janë pezulluar:
- Nënkomisari Ferit Merkaj
- Komisari Emiljano Prenga
- Nënkomisari Klodjan Petani
- Inspektori Redin Çaushaj
Ndaj tyre ka nisur gjithashtu hetim disiplinor, pasi dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për parandalimin e ndërtimit pa leje dhe për vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.
Rasti tashmë është referuar për ndjekje të mëtejshme dhe pritet që autoritetet të përcaktojnë përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Lexo edhe:
Në hetim nga SPAK/ Ilir Shtufi merr “viston” për kompleks vilash “Garden Hills” në Himarë






