Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka vendosur të shkrijë për herë të dytë strukturën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të bashkisë, pas konstatimit të rasteve të përsëritura të ndërtimeve pa leje në territorin e Himarës.
Tavo e ka cilësuar vendimin si të domosdoshëm, duke argumentuar se IMT-ja nuk ka përmbushur funksionin e saj ligjor për mbrojtjen e territorit. Sipas tij, problematikat lidhen jo vetëm me ndërtimet pa leje të konstatuara së fundmi, por edhe me mosveprimin e strukturave përgjegjëse.
“Për herë të dytë brenda një periudhe prej 1 viti, detyrohem ta shkrij për herë të dytë IMT-në e Bashkisë së Himarës, për arsye të neglizhencës së treguar gjatë ushtrimit të punës së tyre, ku detyra primare është mbrojtja e territorit”, deklaroi Tavo.
Kryebashkiaku tha se në terren janë konstatuar ndërtime pa leje gjatë ditëve të fundit, ndërsa sipas tij, ka pasur raste kur strukturat përgjegjëse nuk kanë reaguar në kohë.
“Do i kërkoj IKMT-së që të marrë përsipër mbulimin edhe të territorit të Himarës me inspektorët e vetë”, u shpreh Tavo.
Sipas kryetarit të Bashkisë Himarë, një tjetër problem është mungesa e kapaciteteve njerëzore. Struktura e IMT-së së Himarës kishte gjashtë punonjës, ndërsa disa prej tyre ishin marrë nga zona të tjera për shkak të pamundësisë për të siguruar personel të mjaftueshëm në territor.
Tavo ka theksuar se punonjësit e strukturave të kontrollit të territorit nuk duhet të abuzojnë me detyrën, pasi një situatë e tillë, sipas tij, dëmton qytetarët dhe subjektet që respektojnë ligjin, ndërkohë që favorizon ndërtimet e paligjshme.
Pas vendimit për shkrirjen e IMT-së, të gjithë punonjësit e kësaj strukture janë shkarkuar.
Kryebashkiaku i Himarës ka kërkuar gjithashtu nisjen e një hetimi nga Prokuroria për të gjithë personat që mund të kenë përgjegjësi për lejimin ose mosndërhyrjen ndaj ndërtimeve pa leje.
Kjo është hera e dytë brenda një viti që Bashkia e Himarës merr vendim për shkrirjen e IMT-së, pas problematikave të konstatuara në funksionimin e kësaj strukture.
Tashmë pritet që Bashkia e Himarës t’i drejtohet zyrtarisht Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për të kërkuar marrjen nën juridiksion të kontrollit të territorit të Himarës.
Lexo edhe:
Himarë/ Ndërtohej pa leje një objekt 5-katësh në Qeparo, arrestohet pronari dhe pezullohen zyrtarë
Objekti 5-katësh pa leje, Hita pezullon gjithë zinxhirin komandues të Policisë Himarë (EMRAT)






