Çmimet e karburanteve janë rritur sërish në fund të korrikut, duke shtuar kostot për drejtuesit e automjeteve në kulmin e sezonit turistik.
Rritja e fundit lidhet me luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa në Shqipëri nuk ka ende një masë të re për frenimin e shtrenjtimit të karburanteve.
Tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në rritjen e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, ku nafta Brent po tregtohet rreth 90 dollarë për fuçi.
Efektet e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare janë reflektuar edhe në tregun shqiptar. Këtë fundjavë, çmimi i naftës është rritur me 8 lekë për litër, ndërsa benzina është shtrenjtuar me 10 lekë për litër.
Rritja e çmimeve lidhet edhe me kuotimet e bursës Platts të Mesdheut, së cilës i referohet tregu vendas. Më 27 korrik, nafta u importua me një çmim prej 1,311 dollarë për ton, ndërsa më 30 korrik u zhdogenua me 1,393 dollarë për ton, duke reflektuar rritjen e kostos së furnizimit.
Shtrenjtimi vjen në një periudhë kur lëvizjet me automjete janë më të shumta për shkak të sezonit turistik. Rritja e çmimeve të karburanteve rëndon drejtpërdrejt mbi buxhetin e qytetarëve dhe bizneset e transportit.
Deri tani nuk ka një njoftim nga Këshilli i Ministrave për rikthimin e Bordit të Transparencës, ndërsa situata ka rikthyer shqetësimin e shoqatave të transportit. Këto të fundit kanë kërkuar subvencionim për të përballuar rritjen e kostove.
Ndërkohë, disa vende të rajonit kanë ndërmarrë masa për të kufizuar ndikimin e rritjes së çmimeve te konsumatorët. Serbia ka rikthyer tavanet për çmimet e karburanteve, ndërsa Mali i Zi ka ulur përkohësisht akcizën, duke e mbajtur çmimin e naftës rreth 1.65 euro për litër.
Në Shqipëri, barra fiskale mbetet një nga faktorët që ndikon në çmimin përfundimtar të karburanteve. Nëse tensionet në tregjet ndërkombëtare vijojnë dhe çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare mbetet në nivele të larta, nuk përjashtohet mundësia e rritjeve të tjera të çmimeve të karburanteve në javët në vijim.
Lexo edhe:
Si të kurseni karburant gjatë udhëtimit në vapë? Këshilla praktike për të ulur shpenzimet















