Tensione janë shënuar gjatë seancës plenare në Kuvend, pasi deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar Foltoren, duke penguar prezantimin e raportit të Partisë Socialiste për Reformën Territoriale.
Situata u krijua pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi nisjen e prezantimit të raporteve për Reformën Territoriale. Sipas rendit të parashikuar, fillimisht do të prezantohej raporti i mazhorancës nga deputeti socialist Arbjan Mazniku dhe më pas raporti i opozitës nga deputeti demokrat Luçiano Boçi.
Në momentin kur Mazniku pritej të merrte fjalën, deputetët e Partisë Demokratike u ngritën nga vendet e tyre dhe bllokuan Foltoren e Kuvendit.
Deputetët demokratë nuk lejuan që Mazniku të vijonte me prezantimin e raportit të Partisë Socialiste për Reformën Territoriale, duke shkaktuar tensione në sallën e Kuvendit.
Për shkak të situatës së krijuar, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi të ndërpresë seancën plenare për pesë minuta.
Pas përfundimit të pushimit të shkurtër, pritet të vijojë seanca plenare dhe diskutimet lidhur me Reformën Territoriale.
Protesta para Kuvendit, Berisha kërkon vetëshpërndarjen e Parlamentit















