Një 31-vjeçar shqiptar është dënuar me katër vite burg nga një gjykatë në Belgjikë, pasi u shpall fajtor për 36 vjedhje me thyerje dhe tentativa vjedhjeje të kryera në provincën e Antverpit.

Sipas autoriteteve belge, shqiptari i identifikuar si Emiljan V. i ka kryer vjedhjet në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar. Grupi kishte në shënjestër kryesisht banesa, nga ku vidhnin para, bizhuteri dhe sende me vlerë.

Reklame

Ngjarjet janë regjistruar gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2025 në disa qytete të Belgjikës, përfshirë Lille, Beerse, Vosselaar, Ranst, Brasschaat, Heist-op-den-Berg, Rumst, Kontich dhe Wechelderzande.

Sipas mediave belge, më 11 dhjetor 2025 autorët u përballën me banorët e një banese në Tremelo, në rajonin Flemish Brabant. Para se të largoheshin me paratë dhe bizhuteritë e vjedhura, ata kërcënuan me thikë një prej banorëve.

Hetimet çuan në identifikimin e 31-vjeçarit shqiptar falë gjurmëve të këpucëve të gjetura në një nga vendngjarjet në Beerse, si dhe analizës së të dhënave të kamerave të njohjes automatike të targave (ANPR).

Gjatë procesit gjyqësor, Emiljan V. deklaroi se kishte shërbyer vetëm si shofer për bashkëpunëtorët e tij dhe se nuk kishte dijeni për vjedhjet që ata do të kryenin. Megjithatë, gjykata e hodhi poshtë këtë pretendim, duke arritur në përfundimin se ai kishte bashkëpunuar në organizimin dhe realizimin e grabitjeve.

Përveç dënimit me katër vite burg, gjykata urdhëroi që ai të dëmshpërblejë viktimat me një shumë që kalon 75 mijë euro.

Aktualisht, 31-vjeçari ndodhet nën mbikëqyrje elektronike me byzylyk në kyçin e këmbës, në pritje të ekzekutimit të vendimit.

Kapen në flagrancë në një banesë të braktisur në Belgjikë, gjykata dënon dy persona për tentativë vjedhjeje

Si të mbroni shtëpinë kur largoheni për pushime? Këshilla për të shmangur vjedhjet

Reklame