Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin “Rilindja Urbane 2.0”, një paketë e re ndërhyrjesh për qytetet shqiptare, ku parashikohen autobusë elektrikë, parkime të reja dhe modernizim i transportit publik.
Gjatë prezantimit të programit, Rama u shpreh se shoqëria shqiptare është bërë më kërkuese dhe se kjo, sipas tij, është rezultat edhe i ndryshimeve të realizuara ndër vite.
“Kush mendon që shoqëria është bërë më negative, nuk duhet të merret me politikë dhe me shërbim publik. Kush merret me këtë punë duhet ta ketë të ndarë mendjen që shoqëria është bërë më kërkuese”, deklaroi Rama.
Ai solli si shembull ndryshimin e pritshmërive të qytetarëve, duke thënë se dikur shqetësimi kryesor ishte mbledhja e mbetjeve, ndërsa sot kërkohet mënyra se si ato përpunohen.
Sipas kryeministrit, Shqipëria duhet të kalojë në një standard të ri urban, duke pasur si referencë modelin europian.
Autobusë elektrikë për bashkitë
Një nga elementët kryesorë të programit të ri është furnizimi i bashkive me autobusë elektrikë.
Rama bëri të ditur se do të krijohet një kompani e përbashkët mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkive, e cila do të mundësojë blerjen dhe shpërndarjen e flotave të reja të transportit publik.
Fillimisht, sipas tij, do të përfshihen bashkitë me fluksin më të madh të turistëve dhe qytetet me nevoja më të mëdha për transport modern.
“Autobusë elektrikë që do të duhet të plotësojnë shumë nevoja të rritura sidomos gjatë sezonit turistik”, tha Rama.
Parkime të reja në qytete
Një tjetër komponent i “Rilindjes Urbane 2.0” është ndërtimi i parkimeve nëntokësore dhe mbitokësore në qytete.
Rama argumentoi se rritja e turizmit dhe zhvillimi ekonomik kërkojnë një organizim të ri të hapësirave urbane.
“Është e papranueshme që ne të synojmë të ngjitemi më lart si vend turistik duke mirëmbajtur atë që kemi sot. Kjo kategori duhet lënë pas”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi gjithashtu se programi do të shoqërohet me masa për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, përmes garancive sovrane, financimit të start-up-eve dhe programeve për zgjerimin e sipërmarrjeve.
Programi i ri pritet të prekë kryesisht qytetet me zhvillim më të madh ekonomik dhe turistik, ndërsa detajet për financimin dhe afatet e zbatimit pritet të publikohen në vijim.
Rama reagon nga Armenia për tragjedinë në Durrës: I tronditur nga humbja e dy fëmijëve
Rama nga Durrësi: PS model fitoreje, nesër në Bruksel hapet faza përmbyllëse e negociatave me BE















