Dalin detaje të reja nga hetimet për vrasjen e Eglant Koçit, ngjarje për të cilën në kërkim vijon të jetë Armand Shakaj.
Sipas burimeve nga hetimi, kompjuterët e sekuestruar në biznesin e Shakajt kanë zbuluar të dhëna që lidhen me llogari të kriptomonedhave, duke forcuar dyshimet e hetuesve se krimi mund të ketë ndodhur për motive financiare të lidhura me këtë aktivitet.
Pajisjet elektronike janë ekzaminuar në Laboratorin Kriminalistik, ku specialistët kanë arritur të rikuperojnë prova që pritet të kenë rëndësi në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pritet ndryshim i akuzës
Burimet bëjnë me dije se, bazuar në provat e reja të administruara gjatë hetimeve, organi i akuzës pritet të rivlerësojë kualifikimin juridik të veprës penale ndaj Armand Shakajt.
Aktualisht ai hetohet për veprën penale “vrasje me dashje”, por hetuesit po analizojnë të gjitha provat e reja për të përcaktuar nëse do të ketë ndryshim të akuzës.
Shakaj ende në kërkim
Armand Shakaj vijon të jetë në kërkim nga Policia e Shtetit. Ai dyshohet se ka vrarë shokun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas ka transportuar trupin e pajetë, duke e hedhur në një humnerë në një zonë të thellë të qarkut të Elbasanit.
Sipas burimeve hetimore, lokalizimi i tij ka rezultuar i vështirë, pasi dyshohet se ka ndërruar disa numra telefoni për të shmangur gjurmimin nga autoritetet.
Hetuesit kanë dyshime se ai ndodhet ende brenda territorit shqiptar, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që të jetë larguar në mënyrë të paligjshme.
Dy pistat kryesore të hetimit
Policia dhe Prokuroria po përqendrohen në dy pista kryesore:
- aktiviteti i lidhur me kriptomonedhat;
- marrëdhënie financiare që dyshohet se lidhen me paratë me fajde.
Të dyja pistat mbeten ende në fazë verifikimi dhe hetimet vijojnë për të dokumentuar motivin e plotë të ngjarjes.
Gjendet i pajetë Eglant Koçi, ekspertiza zbulon plagë me armë zjarri në kokë
Vrasja e Eglant Koçit: Prokuroria kërkon këqyrjen e 4 kompjuterëve të sekuestruar






