Vrasja e Eglant Koçit: Prokuroria kërkon këqyrjen e 4 kompjuterëve të sekuestruar

Vijojnë hetimet dhe kërkimet për autorin e dyshuar të vrasjes së Eglant Koçit, ndërsa i dyshuari kryesor, Armand Shakaj, mbetet ende në arrati.

Sipas burimeve hetimore, Shakaj është pikasur në disa momente në rrugë të ndryshme të Tiranës, por ka arritur t’u shpëtojë forcave të policisë gjatë operacioneve për kapjen e tij.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, bën me dije se Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një hap të ri në kuadër të hetimeve, duke i kërkuar Gjykatës Penale leje për të këqyrur katër kompjuterë të sekuestruar në zyrën e të dyshuarit.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, analiza e pajisjeve elektronike pritet të hedhë dritë mbi komunikimet dhe aktivitetin e tij të mundshëm në periudhën para dhe pas ngjarjes.

Hetuesit po shqyrtojnë disa pista për motivin e krimit, ku një ndër drejtimet kryesore është edhe përfshirja e mundshme në transaksione me kriptovaluta.

Sipas të dhënave paraprake, viktima, Eglant Koçi, dyshohet se ka qenë i përfshirë prej kohësh në aktivitet financiar të lidhur me kriptovalutat, çka po konsiderohet si një nga linjat e mundshme të hetimit.

Megjithatë, burime pranë hetimit theksojnë se deri më tani nuk ka prova të konfirmuara për një aktivitet të gjerë financiar, ndërsa viktima përshkruhet si një person me të ardhura modeste dhe një jetë të zakonshme.

Autoritetet vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit, ndërsa pritet që ekzaminimi i pajisjeve elektronike të sekuestruara të jetë një element kyç në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Prokuroria e Tiranës dhe Policia e Shtetit po koordinojnë veprimet hetimore për të identifikuar të gjitha rrethanat dhe motivet që çuan në ngjarjen e rëndë.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version