Gjendet i pajetë Eglant Koçi, ekspertiza zbulon plagë me armë zjarri në kokë

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 24-vjeçarit Eglant Koçi, trupi i të cilit u gjet në fshatin Cerrujë pas dy javësh kërkime.

Sipas informacioneve paraprake, nga këqyrja e trupit është konstatuar një plagë tejshpuese në pjesën e pasme të kokës, e dyshuar se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Trupi është transportuar në morg, ku do t’i nënshtrohet një ekspertize të plotë mjeko-ligjore për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes dhe rrethanat e ngjarjes.

Identifikimi i viktimës u bë nga familjarët, pasi policia lokalizoi trupin në një zonë të fshatit Cerrujë me ndihmën e dronëve. Koçi ishte raportuar i zhdukur prej rreth dy javësh, çka kishte ngritur dyshime për fatin e tij.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim mikun e tij të ngushtë, Armand Shakaj, i cili dyshohet se mund të ketë dijeni ose përfshirje në rast.

Gjatë veprimeve hetimore, në zyrën e Shakajt janë gjetur gjurmë baruti, si dhe një shenjë në mur që dyshohet të jetë shkaktuar nga një predhë plumbi. Këto prova po analizohen nga grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Autoritetet pritet të dalin me rezultate më të detajuara pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore dhe analizimit të provave të mbledhura deri tani.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version