Situata e zjarrit në fshatin Klos, në Bashkinë Mallakastër, është rënduar sërish gjatë orëve të fundit për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë malor, duke favorizuar përhapjen e flakëve.

Sipas informacioneve nga terreni, mjetet zjarrfikëse po hasin vështirësi të mëdha për të ndërhyrë në disa zona, pasi terreni i thyer e bën të pamundur afrimin e tyre pranë vatrave aktive të zjarrit. Për këtë arsye, autoritetet kanë kërkuar rifillimin e ndërhyrjes nga ajri, pasi flakët po i afrohen fshatit Klos dhe paraqesin rrezik për banesat dhe zonën përreth.

Reklame

Pamjet e realizuara me dron nga vatra e zjarrit tregojnë përmasat e flakëve pranë fshatit Klos, ndërsa operacioni për izolimin e tyre vijon.

Pas ndërhyrjes nga ajri gjatë orëve të mëparshme, situata është përmirësuar në drejtim të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe zonës së fshatit Hekal, ku rreziku është reduktuar ndjeshëm.

Megjithatë, operacioni i forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencës mbetet i fokusuar në drejtim të fshatit Klos, ku zjarri vazhdon të mbetet aktiv dhe kushtet atmosferike po vështirësojnë neutralizimin e plotë të flakëve.

Reklame