Një protestë është zhvilluar këtë të shtunë pranë TEC-eve lundruese në Vlorë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin ndaj projektit dhe shqetësimet e tyre për ndikimin që ai mund të ketë në mjedis dhe në Gjirin e Vlorës.
Protestuesit kanë marshuar drejt zonës ku ndodhen TEC-et lundruese, duke mbajtur pankarta dhe duke bërë thirrje për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe të mjedisit.
Në zonë është vënë re një prani e shtuar e forcave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë vendosur masa sigurie dhe kanë rrethuar perimetrin ku po zhvillohet protesta. Deri më tani nuk raportohen incidente apo përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Organizatorët e protestës shprehen se kundërshtojnë vendosjen e TEC-eve lundruese, duke argumentuar se projekti mund të sjellë pasoja për mjedisin dhe turizmin në zonë.
Protesta zhvillohet në një klimë të tensionuar politike dhe sociale, ndërsa grupe qytetarësh në vende të ndryshme të vendit vijojnë të shprehin pakënaqësi ndaj qeverisë.
Një pjesë e protestuesve kanë artikuluar gjithashtu kërkesa politike, duke akuzuar qeverinë për keqqeverisje dhe duke kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama. Këto qëndrime përfaqësojnë qëndrimet e protestuesve dhe organizatorëve të tubimit.















