Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ai dhe familjarët e tij kanë përfituar prona në zonat bregdetare të Jugut, përfshirë kanionin e Gjipesë dhe zonën e Livadhës në Himarë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se prej kohësh ka denoncuar atë që ai e cilësoi si “plaçkitje” të kanionit të Gjipesë, duke pretenduar se projekti i parashikuar në këtë zonë rrezikon një nga pasuritë më të veçanta natyrore të vendit.
“Kanioni i Gjipesë është një nga kanionet më të çmuara në botë. Edi Rama i vuri syrin kësaj zone dhe tentoi të mashtronte opinionin publik duke thënë se tokat ndodheshin larg bregdetit”, deklaroi Berisha.
Ai pretendoi se në zonën e Livadhës në Himarë po parashikohet një projekt turistik me sipërfaqe prej 242 mijë metrash katrorë, ndërsa ngriti dyshime për mungesën e informacionit mbi zhvilluesit e disa projekteve të prezantuara.
Sipas Berishës, në dokumentacionin e bërë publik për disa projekte turistike në jug të vendit nuk figurojnë emrat e zhvilluesve, çka sipas tij ngre pikëpyetje mbi pronësinë dhe investitorët.
Kreu i opozitës përmendi gjithashtu emrin e Salvatore Aliut, duke pretenduar se ai ka blerë sipërfaqe toke në zonën e Vunos, ndërsa ngriti akuza edhe lidhur me proceset e regjistrimit të pronave.
Berisha iu referua edhe ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, duke pretenduar se ky i fundit nuk kishte pranuar të regjistronte si prona private disa zona që, sipas tij, konsideroheshin prona publike.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga kryeministri Edi Rama lidhur me këto deklarata të kreut të opozitës.















