Mijëra qytetarë janë mbledhur në Tiranë në ditën e 21-të të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në tubim janë bashkuar edhe pjesëmarrës nga diaspora, të cilët kanë ardhur posaçërisht në mbështetje të protestës që vijon prej ditësh në kryeqytet.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protesta nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, për t’u zhvendosur më pas drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe qëndrime nga organizatorët.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe plotësimi i kërkesave të ngritura gjatë protestave të fundit.
Prania e diasporës në protestë konsiderohet nga organizatorët si një shenjë mbështetjeje dhe solidariteti me qytetarët në Shqipëri, duke treguar se jehona e pakënaqësive ka mobilizuar edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.














