Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur kryetarin e Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”.
Isai është paraqitur këtë të premte në ambientet e SPAK-ut, ku i është komunikuar zyrtarisht akuza nga prokurorët e çështjes.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se gjatë dy viteve të fundit kryebashkiaku i Kolonjës është thirrur disa herë nga Prokuroria e Posaçme për të dhënë shpjegime në lidhje me procedurat e ndjekura në disa tendera të zhvilluar nga institucioni që ai drejton.
Sipas SPAK-ut, dyshohet se Erion Isai, në bashkëpunim me punonjës të tjerë të bashkisë, ka favorizuar operatorë ekonomikë të caktuar gjatë procedurave të prokurimit publik, duke cenuar parimin e barazisë në tendera.
Me komunikimin e akuzës, hetimet paraprake ndaj Isait konsiderohen të mbyllura, ndërsa dosja pritet t’i kalojë gjykatës për shqyrtim të mëtejshëm. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi tenderat konkretë që janë objekt i hetimit.















