Një tjetër emër i rëndësishëm i administratës publike ka përfunduar nën hetimin e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas raportimeve, Kreshnik Tërnova, anëtar i Komisionit të Prokurimit Publik, është marrë zyrtarisht nën hetim nga SPAK.
Burime bëjnë me dije se hetimi po drejtohet nga prokurori Elvin Gogaj dhe lidhet me dyshimet për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
Emri i Tërnovës është përmendur edhe në dosjen hetimore të SPAK për skandalin e tenderave të Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku po hetohen procedura të dyshuara si të parregullta në prokurimet publike.
Sipas raportimeve, në qendër të hetimeve ndodhet edhe biznesmeni Ermal Beqiri, i konsideruar si një nga personat kyç të kësaj çështjeje. Beqiri është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për tenderat e AKSHI-t.
Deri tani nuk ka një reagim publik nga Kreshnik Tërnova lidhur me hetimin, ndërsa SPAK po vijon verifikimet për të dokumentuar rolin e personave të përfshirë në këtë dosje.















