Protestuesit që u mblodhën më herët në Sheshin Skënderbej kanë marshuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbërritur para godinës së Kryeministrisë.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, qytetarët po vijojnë protestën e shtatë radhazi në kundërshtim të projektit të planifikuar në Zvërnec.
Pjesëmarrësit kërkojnë anulimin e projektit, ndërsa një pjesë e tyre kanë bërë thirrje edhe për dorëheqjen e kreut të qeverisë. Gjatë marshimit, protestuesit kanë kaluar përgjatë rrugëve kryesore të kryeqytetit, për t’u grumbulluar më pas përpara Kryeministrisë.
Tubimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa deri më tani nuk raportohen incidente. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke e cilësuar kundërshtimin ndaj projektit si një kauzë qytetare dhe kombëtare.
Protesta kundër projektit të Zvërnecit është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, si dhe në disa vende ku jeton diaspora shqiptare, duke sjellë një mobilizim të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.















