Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për ngjarjen tragjike të ndodhur në fshatin Lozhan të Maliqit, ku humbi jetën efektivi i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri, gjatë operacionit për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari.
Sipas burimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës së Braçellarit është gjetur kallashnikovi që dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj forcave të policisë, si dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak.
Po ashtu, hetuesit kanë sekuestruar radio komunikimi të ngjashme me ato që përdoren nga Policia e Shtetit, dylbi dhe dronë. Këto pajisje janë dërguar për ekspertizë me qëllim përcaktimin e përdorimit të tyre dhe rolit që mund të kenë pasur në aktivitetin e 43-vjeçarit.
Burimet bëjnë me dije se vetëm një ditë para ngjarjes së rëndë, më 3 qershor, Braçellari ishte kallëzuar në polici nga një çoban që kishte rreth 15 ditë që punonte në stallat e tij. Sipas denoncimit, ai ishte kërcënuar me jetë nga 43-vjeçari, i cili gjithashtu nuk kishte pranuar t’i jepte pagesën për punën e kryer.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Braçellari ka pasur probleme edhe më herët me autoritetet. Në vitin 2004, në moshën 21-vjeçare, ai ishte paraqitur për të kryer shërbimin ushtarak në Forcat e Armatosura, por kishte qëndruar vetëm tre ditë në repart dhe më pas nuk ishte rikthyer më. Për këtë rast, sipas burimeve, ishte hapur edhe një procedim ndaj tij.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes që tronditi opinionin publik dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së 43-vjeçarit.















